Dy të burgosur kanë humbur jetën dhe të paktën 14 të tjerë dyshohet se kanë probleme shëndetësore, për shkak të një incidenti në një burg të Britanisë.
Sipas “The Independent” vuajtësit e dënimit në burgun e kategorisë C, HMP Ranby, pranë Retford-it, raportohet se janë izoluar në qelitë e tyre, ndërsa stafi i burgut po merret me menaxhimin e këtij incidenti të rëndë.
Incidenti dyshohet të ketë ndodhur për shkak se në burg ka hyrë një sasi droge “e keqe” që më pas është konsumuar prej të burgosurve.
Një burim nga brenda burgut tha se ka pasur deri në 14 raste të ashtuquajtura “kod blu”, një alarm që jepet nga oficerët kur ndodh një krizë mjekësore, si për shembull kur një i burgosur gjendet pa ndjenja, nuk merr frymë ose ka pësuar mbidozë droge.
Të martën, në vendngjarje janë parë katër autoambulanca, ndërsa të mërkurën në mëngjes, në burg mbërritën një ambulancë ajrore dhe tri njësi të tjera mjekësore, sipas burimeve.
“Burgu është në izolim të plotë”, tha burimi për Independent. “Që nga mëngjesi, stafi ka kontrolluar tri herë ambientet për t’u siguruar që nuk ka viktima të tjera apo raste të reja ‘kod blu”.
Sipas të njëjtit burim, sot të burgosurit janë paralajmëruar për një sasi të kontaminuar të substancës “spice”, një formë sintetike e kanabisit, e cila dyshohet se lidhet me këto incidente.
“Si në çdo rast vdekjeje në paraburgim apo burgim, Avokati i Popullit për Burgjet dhe Shërbimin e Provës do të kryejë një hetim, dhe ne do të reagojmë ndaj gjetjeve të tij në kohën e duhur. Gjithashtu, po zhvillohet një hetim policor, ndaj nuk do të ishte e përshtatshme të jepnim komente të mëtejshme në këtë faze”, deklaroi një zëdhënës i Shërbimit të Burgjeve.
Inspektimi i fundit në HMP Ranby, i kryer në tetor të vitit të kaluar, theksonte se disponueshmëria e gjerë e drogës përbën një “shqetësim serioz” dhe sugjeronte që Shërbimi i Burgjeve duhet të investojë në sigurinë fizike për të parandaluar hyrjen e drogës përmes dronëve.







