Partia Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të mos përdoret identifikimi elektronik i zgjedhësve në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, me pretendimin se kjo teknologji ka dështuar të parandalojë votimin e dyfishtë dhe të shumëfishtë.
Kërkesa u dorëzua në Komisionin Rregullator nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Marash Logu, i cili argumenton se në zgjedhjet e kaluara janë konstatuar raste flagrante të manipulimit përmes të njëjtës shenjë gishti.
“Partia Demokratike është kundër identifikimit elektronik të zgjedhësve në zgjedhjet lokale të 9 majit 2027, dhe i kërkon komisionit të mos e miratojë propozimin për miratimin e identifikimit elektronik”, thuhet në kërkesën e përfaqësuesit Marash Logu.
Në shkresën e saj, selia blu i referohet të dhënave të auditimit të vetë administratës zgjedhore për të mbështetur tezën se pajisjet e identifikimit elektronik (PEI) nuk ofrojnë garanci reale kundër votimit të paligjshëm.
“Përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në raportet zyrtare që kanë hartuar, kanë dëshmuar se nuk parandalohet votimi i dyfishtë dhe i shumëfishtë. Ka raste të raportuara nga vetë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, ku i njëjti shtetas kishte votuar me 27 karta të ndryshme, duke përdorur të njëjtën shenjë gishti. PD është kundër përdorimit të pajisjeve të identifikimit elektronik në zgjedhjet lokale të 9 majit 2027”, vijon kërkesa.
Kërkesa e opozitës ka krijuar një ngërç në Komisionin Rregullator të KQZ-së, çka ka detyruar shtyrjen e vendimmarrjes. Ky organ përbëhet nga 5 anëtarë, 3 të propozuar nga Partia Socialiste dhe 2 nga Partia Demokratike, ndërkohë që për miratimin e akteve rregullatore nevojiten të paktën 4 vota pro. Në kushtet kur asnjëra palë nuk e arrin e vetme shumicën e cilësuar, vendimi është lënë pezull.
Qëndrimi i ri i Partisë Demokratike shënon një kthesë të fortë krahasuar me marrëveshjen e 5 Qershorit 2020, kur zbatimi i identifikimit biometrik në të gjitha qendrat e votimit u vu si kusht i panegociueshëm pikërisht nga PD-ja, si garancia kryesore për të shmangur votimin e shumëfishtë dhe atë familjar. Identifikimi elektronik u aplikua për herë të parë në Shqipëri në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.









