Prokurorët federalë në SHBA kanë ngritur akuza ndaj më shumë se 800 të pandehurve dhe kanë rikuperuar mbi 8 miliardë dollarë humbje, si pjesë e një prej goditjeve më të mëdha kundër mashtrimeve në historinë e Departamentit të Drejtësisë, njoftoi të martën Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së Todd Blanche.
Duke folur së bashku me Drejtorin e FBI-së Kash Patel në një konferencë për shtyp në Uashington, Blanche tha se aksioni vjen pas urdhrit ekzekutiv të Presidentit Donald Trump në mars, i cili drejton një goditje kundër mashtrimeve dhe skemave grabitqare që synojnë amerikanët. Që nga kjo direktivë, Departamenti i Drejtësisë ka ngritur më shumë se 400 çështje penale në 85 distrikte federale, duke rezultuar në akuza, ekstradime, pranim fajësie dhe dënime me burg.
“Ne nuk po ndjekim vetëm mashtrues individualë,” tha Blanche. “Ne po çmontojmë rrjetet kriminale që kanë vjedhur nga populli amerikan për një kohë shumë të gjatë.”
Patel detajoi ofensivën globale të FBI-së nën Operacionin Blackout, një fushatë ndërinstitucionale që synon sindikatat ndërkombëtare të mashtrimit. Sipas Patel, agjentët federalë dhe partnerët ndërkombëtarë kanë sekuestruar gati 17 miliardë dollarë fonde të paligjshme, kanë konfiskuar më shumë se 14,000 pajisje dixhitale dhe kanë çmontuar 29 komplekse mashtruese në katër kontinente.
Këto komplekse funksionojnë si qytete të pavarura ku rrjetet kriminale i detyrojnë viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore të drejtojnë skema mashtrimi online kundër amerikanëve, tha Patel, duke vënë në dukje se operacionet e përbashkëta kanë liruar më shumë se 2,200 punëtorë të trafikuar.
“Ata menduan se mund t’ia dilnin mbanë në Azinë Juglindore. Ata u zhvendosën në Afrikë. Ata u zhvendosën në Lindjen e Mesme,” tha Patel. “Ne i shkatërruam ata në çdo kontinent që ata zgjodhën të operonin dhe të sulmonin qytetarët amerikanë.”
Masa e goditjes vjen ndërsa mashtrimet online dhe telefonike vazhdojnë të godasin familjet amerikane me ritme marramendëse. Blanche citoi një studim të kohëve të fundit të Gallup që zbuloi se 10% e amerikanëve raportuan se ata ose një anëtar i familjes ra viktimë e një mashtrimi në vitin 2025, duke rezultuar në një humbje prej rreth 68 miliardë dollarësh në një vit të vetëm.
Zyrtarët vunë në dukje një gamë të gjerë skemash të ndërprera që nga marsi, nga të burgosurit për krime të rënda që përdorin telefona celularë kontrabandë dhe skenarë të shkruar me dorë për të kryer mashtrime me zhvatje për detyrën e jurisë deri te mashtrimet me timeshare me bazë në Meksikë që dyshohet se operohen nga kartele të mëdha të trafikimit të drogës.
Vetëm gjatë dy javëve të fundit, autoritetet federale bashkëpunuan me zyrtarët meksikanë për të ekstraduar një ndërmjetës të dhënash, i akuzuar për shitjen e emrave të më shumë se 1 milion amerikanëve të moshuar te rrjete ndërkombëtare mashtrimi; kjo ka shkaktuar humbje prej të paktën 15 milionë dollarësh për viktimat. Gjithashtu, agjentët mbyllën faqe interneti që hiqeshin si gjykata federale amerikane dhe arrestuan nëntë të dyshuar në lidhje me një skemë të supozuar lojërash fati (shortesh), përmes së cilës u vodhën miliona dollarë nga të moshuarit, tha Blanche.
Jashtë vendit, një operacion i fundit ligjzbatues, i koordinuar nga Londra, çoi në 28 arrestime në të gjithë Afrikën, sekuestrimin e aseteve me vlerë 11 milionë dollarë, shpëtimin e 120 punëtorëve të trafikuar, si dhe fshirjen e 3,7 milionë llogarive mashtruese në Facebook dhe Instagram, u shpreh Patel.
Përveç arrestimeve dhe sekuestrimit të aseteve, zyrtarët federalë ndërhyjnë edhe përpara se paratë të largohen nga llogaritë bankare të viktimave. Nëpërmjet “Operation Level Up” – një nismë e përbashkët me Shërbimin Sekret të SHBA-së – agjentët kanë parandaluar humbje të mundshme prej gati 700 milionë dollarësh, që preknin 11 000 amerikanë; 77% e tyre nuk e kishin kuptuar se po binin pre e një mashtrimi, tha Patel, transmeton “Fox News”.









