HomeEkonomiÇel punimet konferenca e 100–vjetorit të BSH me temë: ''Një shekull banking...

Çel punimet konferenca e 100–vjetorit të BSH me temë: ”Një shekull banking qendror: Nga themelimi institucional te roli si ankorë rajonale’

Advertismentspot_img

Më 11 nëntor 2025, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Reinventing Bretton Woods Committee, organizon konferencën e 100–vjetorit të saj, me temë: ”Një shekull banking qendror: Nga themelimi institucional te roli si ankorë rajonale”, kushtuar kësaj ngjarjeje të rëndësishme për historinë e vendit tonë.

Kjo konferencë organizohet nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Edi Rama, Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj, Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, zj. Delina Ibrahimaj, përfaqësuesve të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Të pranishëm janë gjithashtu guvernatorë, zëvendësguvernatorë, anëtarë të bordeve drejtuese dhe përfaqësues të lartë të bankave qendrore, të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, të institucioneve financiare ndërkombëtare – si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – të rretheve akademike në vend, të sistemit bankar e financiar, të medias, si dhe stafi i Bankës së Shqipërisë.

Punimet e konferencës së konceptuar në katër sesione, u hapën me fjalët përshëndetëse të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, si dhe mesazhet e urimit dedikuar këtij evenimenti nga Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, zj. Christine Lagarde dhe Drejtorja e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, zj. Kristalina Georgieva.

Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se kjo është një konferencë e veçantë për Bankën, pasi zhvillohet në përvjetorin e njëqindtë të saj, si një institucion i cili u krijua dhe vijon të shërbejë si bankë qendrore e Shtetit Shqiptar.

Çdo jubile duhet t’i shërbejë një qëllimi të dyfishtë. Ai është një moment vlerësimi për punën e një institucioni, si dhe një moment kremtimi për përpjekjet e të gjithë punonjësve që kanë kontribuuar në zhvillimin e tij. Në të njëjtën kohë, çdo jubile duhet të shërbejë edhe si moment vështrimi kritik mbi atë çka kemi arritur, atë çka ka bërë të mundur këto arritje, si dhe sfidat dhe mundësitë e zhvillimit që kemi përpara.” u shpreh Guvernatori Sejko.

Më tej, Guvernatori theksoi se vizioni i Bankës së Shqipërisë për të ardhmen është ai i një banke qendrore moderne, e cila aplikon praktikat më të mira ndërkombëtare, e aftë për të përmbushur misionin e saj dhe e denjë për të qenë anëtare e sistemit evropian të bankave qendrore.

Vënia në jetë e këtij vizioni kërkon një mandat të qartë dhe të fokusuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe për këtë Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të punojë për promovimin e stabilitetit të përgjithshëm financiar të vendit, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e tregjeve monetare dhe të sistemeve të pagesave.

Duke iu rikthyer temës së konferencës, Guvernatori theksoi disa nga sfidat dhe oportunitetet kryesore me të cilat Banka e Shqipërisë përballet dhe të cilat do të konturojnë aktivitetin e saj në vijim, si: rritja e tensioneve gjeopolitike në ambientin e huaj; inovacioni i shpejtë financiar dhe implikimet nga stadi i zhvillimit të Shqipërisë për modelin e rritjes në të ardhme. Rreziqet që vijnë nga këto sfida tejkalohen nga oportunitetet që ofron procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si në formë direkte, nga rritja e aksesit në programet e përbashkëta të zhvillimit të BE-së, ashtu edhe në formë indirekte, nga rritja e investimeve të huaja, si pasojë e përmirësimit të klimës së biznesit dhe reduktimit të rrezikut të perceptuar.

Guvernatori Sejko theksoi se mandati i qartë i bankave qendrore është kusht i nevojshëm, për përmbushjen me sukses të misionit të tyre. Ai duhet të jetë i shoqëruar me atribute të qarta pavarësie, përgjegjshmërie, transparence dhe profesionalizmi institucional.

Në përfundim, Guvernatori prezantoi monedhën përkujtimore, “100 vjet Banka e Shqipërisë, 1925-2025”, të emetuar për kremtimin e përvjetorit njëshekullor të bankingut qendror shqiptar.

“Kjo monedhë simbolizon rëndësinë e institucionit të Bankës së Shqipërisë. Përmes saj përkujtojmë ngjarjet kryesore që kanë shënuar zhvillimin e saj ndër vite, nderojmë kujtesën institucionale dhe frymëzohemi për të ardhmen.” – u shpreh Guvernatori Sejko.

Duke falënderuar pjesëmarrësit, Guvernatori i ftoi të japin kontributin e tyre nëpërmjet një diskutimi sa më të hapur.

Në video-mesazhin e saj me rastin e 100–vjetorit të Bankës së Shqipërisë, Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, zj. Christine Lagarde, u shpreh se: “Banka e Shqipërisë ka përjetuar një ndryshim të jashtëzakonshëm në 100 vitet e para të saj. Rreziku që pritjet për inflacionin të çankorohen është një ndër shqetësimet që u prish gjumin bankierëve qendrorë. Por, falë besueshmërisë institucionale të arritur nga veprimet e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë dhe kuadrit të saj të shënjestrimit të inflacionit, një normale e re u shfaq kur, inflacioni shënoni një mesatare midis 2 dhe 3%. Suksesi i Bankës së Shqipërisë pasqyron suksesin më të gjerë të vendit në dekadat e fundit. Në vitin ’95, PBB-ja për frymë ishte më pak se 15% e mesatares së Bashkimit Evropian, në terma të fuqisë blerëse. Ndërsa sot ky tregues është më shumë se dyfishuar, në 35%, duke ofruar potencial për t’u rritur më tej.”

Gjithashtu, një mesazh urimi u përcoll nga zj. Kristalina Georgieva, Drejtore e Përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Nga themelimi i saj në vitin 1925, duke kaluar nëpër dekada transformimi, Banka e Shqipërisë ka pasqyruar evoluimin e vetë Shtetit Shqiptar. Vendi është përballur me ndryshime politike, goditje ekonomike dhe ndikim të zhvillimeve globale, duke pasur në krah Bankën e Shqipërisë, gjithmonë të përkushtuar për të ruajtur stabilitetin, besueshmërinë dhe besimin e publikut. Rrugëtimi i Shqipërisë na ofron një mësim kyç: pavarësia e bankave qendrore është shumë më tepër se një teknikalitet formal. Ajo është gur themeli i qëndrueshmërisë kombëtare. Bankat qendrore të pavarura janë të pozicionuara më mirë për të ruajtur stabilitetin financiar, mbrojtur integritetin financiar dhe për t’ju përgjigjur në mënyrë efektive krizave. Por, pavarësia nuk mund të merret si e mirëqenë. Ajo duhet mbrojtur dhe kultivuar. Kjo kërkon kuadër ligjor të fortë, mandate të qarta dhe kulturë të transparencës, llogaridhënies dhe komunikimit të hapur me publikun.” – u shpreh zj. Georgieva.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama u shpreh se: “Banka e Shqipërisë është në mos i vetmi ndër shumë të paktit institucione të Republikës sonë që mund të quhet i tillë me plotë gojën – institucion, në atë kuptim dhe me ato standarde që kemi parasysh kur flasim për institucionet që i duhen një vendi dhe që bëjnë që ky vend të përmbushë kriteret e të qenit një vend në botën e zhvilluar dhe në tryezën e familjes evropiane.

Do të ishte vërtet e dobishme që historia e zhvillimit dhe e përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për t’u formësuar dhe t’u konsoliduar si institucion të merret përsipër dhe të shkruhej për t’iu dhënë të tjerëve një pasqyrë të gjithë rrugës se si u ngrit një institucion i tillë, i cili sot është faktikisht dhe praktikisht një institucion plotësisht i integruar në botën ku jetojmë, dëshmi e thjeshtë e këtij fakti ishin dhe dy adresimet e bëra nga dy personalitete që e përfaqësojnë drejtpërdrejtë botën e zhvilluar në të cilën operon një institucion si Banka e Shqipërisë.

Sot, Banka e Shqipërisë hyn në shekullin e saj të dytë dhe gjendet në një hartë krejt të re nga harta ku ajo u vendos në fillim të shekullit të saj të parë.

Natyrisht që në këtë kontekst, sfida e bankës tonë qendrore është e dyfishtë, pasi nga njëra anë duhet të shikojë përtej të sotmes dhe shumë më larg në të ardhmen, ndërkohë që e ardhmja bëhet gjithmonë e më e afërt dhe nga ana tjetër duhet të vazhdojë të provojë se është në lartësinë e duhur për sa i takon funksionit të saj bazë, funksionit të saj tradicional, funksionit të saj historik.

Banka Qendrore ashtu sikundër ka kapacitetet që të qetësojë, edhe që të garantojë duke pas krijuar një besim që nuk është një besim tipik në opinionin publik shqiptar lidhur me institucionet, do të mundet që edhe të rinovojë edhe të shohë  me kurajo, ato risi që sjell e përditshmja në zhvillimet e teknologjisë dhe do të mundet kështu të ruajë ekuilibrat, duke shtyrë përpara zhvillimin”.

Sesioni i parë i konferencës, me temë “Një botë me më pak tregti dhe kapital më të shtrënguar: A është një riformësim i ekonomisë?”, trajton fragmentimin gjeo-ekonomik dhe rikonfigurimin e tregtisë, të cilat po riorientojnë flukset e kapitalit dhe po vendosin kufizime në financim në tregun botëror. Ky likuiditet global më i shtrënguar dhe shmangia e rrezikut më të lartë po ndryshojnë kushtet financiare për tregjet në zhvillim dhe për tregjet e Evropës Jugore. Nën dritën e këtyre sfidave, mund të lindi nevoja për një bashkëpunim rajonal më të thellë apo për një bllok rajonal për të forcuar rezistencën në një botë mjaft të polarizuar.

Gjatë sesionit të dytë, me temë “Zgjedhjet strategjike të Evropës dhe sfidat”, fokusi vendoset tek Evropa, e cila ndodhet në një pikë kritike, duke lundruar mes konkurrencës së shtuar globale, ripozicionimit gjeopolitik dhe sfidave të vazhdueshme ekonomike. Pavarësisht të gjithave, Evropa është ankora për zhvillimin e tregtisë, të financave dhe atë institucional në Evropën Juglindore. Në kudër të agjendës së zgjerimit të BE-së, do të diskutohet gjithashtu mbi mënyrën si Evropa mund të vazhdojë të shërbejë si një gur themeli i konvergjencës politike, sociale dhe ekonomike për shtetet kandidate për anëtarësim.

Sesioni i tretë me temë “Sfidat e politikës monetare”, do t’i përqendrojë diskutimet rreth autoriteteve monetare, të cilat përballen me një mjedis gjithnjë e më kompleks, të karakterizuar nga goditje të përsëritura të ofertës, ndërprerje gjeopolitike dhe pasiguri të shtuara. Ky sesion do të analizojë se si bankat qendrore mund të ruajnë besueshmërinë, të ankorojnë pritjet dhe të arrijnë stabilitetin e çmimeve përballë presioneve inflacioniste të qëndrueshme dhe të paparashikueshme. Diskutimet do të trajtojnë kufijtë e autonomisë së politikës në një sistem global të fragmentuar, ekuilibrin midis objektivave të stabilitetit monetar dhe atij financiar, si dhe ndikimet nga bankat qendrore më të mëdha. 

Sesioni i katërt, me temë “Monedha të qëndrueshme, pavarësia dhe e ardhmja e parasë”, do të trajtojë evoluimin e shpejtë të financave digjitale, i cili po riformëson themelet e parasë, të pagesave dhe të ndërmjetësimit financiar. Ky sesion do të eksplorojë potencialin transformues të monedhave digjitale të bankave qendrore (CBDC), monedhave të qëndrueshme (stablecoins) dhe infrastrukturave të reja të pagesave, si dhe ndikimet e tyre të gjera mbi pavarësinë monetare, stabilitetin financiar dhe përfshirjen financiare. Duke vlerësuar si mundësitë ashtu edhe cenueshmëritë, diskutimi synon të përcaktojë një rrugë të sigurt drejt inovacionit që mbështet qëndrueshmërinë ekonomike dhe rritjen gjithëpërfshirëse.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular