Reformat e fundit kanë forcuar sistemin tatimor të Shqipërisë dhe administrimin e tij, me TVSH-në si burimin kryesor i të ardhurave, pasuar nga tatimi mbi fitimin, akcizat, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat kombëtare dhe detyrimet doganore.
Megjithatë, sipas Raportit Financiar të Bankës Botërore për Shqipërinë mbledhja e taksave mbetet nën potencial për shkak të informalitetit, përjashtimeve dhe zbatimit të dobët. Të ardhurat totale janë nën mesataren rajonale, produktiviteti i ulët i tatimit mbi të ardhurat personale dhe tatimi mbi fitimin tregon baza të pashfrytëzuara, efikasiteti i TVSH-së është vetëm 54% dhe shpenzimet tatimore arrijnë 4.8% të PBB-së, ku mbi 80% lidhen me TVSH-në. Kontributet shoqërore mbeten të ulëta për shkak të nënraportimit të pagave, pavarësisht rritjes së kontribuesve dhe pagave. Sfida shtesë janë detyrimet e prapambetura tatimore, boshllëqet e përputhshmërisë dhe akses i kufizuar në të dhëna, thuhet në raport.
Banka Botërore identifikon katër burime kyçe të të ardhurave të pashfrytëzuara mjaftueshëm:
Tatimi mbi të ardhurat personale nga qiratë afatshkurtra (STR)
Formalizimi i STR-ve mund të gjenerojë të paktën 0.14% të PBB-së në të ardhura shtesë. Pavarësisht rritjes së shpejtë të turizmit dhe të qirave afatshkurtra, mbledhja e taksave kufizohet nga informaliteti dhe rregullimi i dobët. Duke supozuar zënie të plotë për të gjitha listimet në AirDNA, potenciali i PIT në vitin 2023 vlerësohej në 0.14% të PBB-së.
Taksa mbi pronën
Kalimi në një taksë mbi pronën të bazuar në vlerën e tregut mund të gjenerojë deri në 0.4% të PBB-së në vit dhe të forcojë decentralizimin fiskal. Aktualisht, taksa mbi pronën siguron vetëm 0.3% të PBB-së. Baza e ngushtë dëmtohet më tej nga përjashtimet e tepërta. Reformat e fundit kanë synuar të përfitojnë nga rritja e vlerave të pasurive të paluajtshme, por normat mbeten të ulëta, mbledhja është joefikase dhe kadastra fiskale është e vjetëruar. Qasja sipas vlerës së tregut përputhet më mirë me aftësinë paguese të tatimpaguesve, frenon mbindërtimin dhe mund të mbështesë përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Simulimet sugjerojnë se një taksë 0.10% mbi banesat mund të gjenerojë 0.4% të PBB-së edhe me përjashtime – dhe deri në 1.3% pa to.
Taksa e karbonit mbi qymyrin
Rritja e taksës së karbonit mbi qymyrin mund të ndihmojë në arritjen e objektivave klimatike, të sjellë përfitime shëndetësore dhe të rrisë të ardhurat në intervalin 0.18–0.35% të PBB-së deri në vitin 2030. Taksa aktuale nuk pasqyron mjaftueshëm kostot mjedisore dhe qeveria ka një kalendar për rritjen e saj deri në vitin 2030.
Një rritje graduale nga viti 2026 deri në 2030 do ta afronte Shqipërinë me çmimin e sistemit europian të tregtimit të emetimeve (ETS), ndërsa një rritje më e fortë mund të sjellë deri në 0.35% të PBB-së, duke ndihmuar në përmbushjen e objektivave të uljes së emetimeve dhe duke sjellë përfitime shëndetësore. Një pjesë e të ardhurave mund të përdoret për të kompensuar familjet në nevojë.
Taksa mbi duhanin
Rritja e akcizës së duhanit për t’u përafruar me minimumin e BE-së mund të gjenerojë 0.07% shtesë të PBB-së në vit. Megjithëse normat e akcizës janë rritur çdo vit, prevalenca e pirjes së duhanit mbetet e lartë, duke përbërë rrezik serioz për shëndetin publik. Raporti PFR paraqet tre skenarë politikash për rritjen e akcizës minimale.
Taksimi i Prones
Sipas skenarit të parë, Shqipëria e rrit gradualisht taksën për të arritur minimumin e BE-së prej 90 euro për 1,000 cigare deri në vitin 2030, që do të sillte rreth 0.02% të PBB-së në vit gjatë 2025–2029. Megjithatë, ky ritëm nuk mjafton për të kompensuar rritjen e popullsisë, të ardhurave dhe inflacionin; si pasojë, tregu i cigareve pritet të zgjerohet dhe normat e pirjes së duhanit të rriten. Vlen të theksohet se minimumet aktuale të akcizës së BE-së, të vendosura në vitin 2011, janë të vjetruara.
Raporti i Bankës Botërore mbi financat publike në Shqipëri konstaton se sistemi i taksimit të pronës mbetet joefektiv dhe nën potencialin fiskal të vendit, duke kontribuar vetëm 0.3% të të ardhurave tatimore. Sipas vlerësimit, mënyra aktuale e taksimit, e bazuar kryesisht në sipërfaqe, nuk arrin të sigurojë të ardhura të qëndrueshme dhe as të garantojë drejtësi fiskale mes tatimpaguesve.
Sistemi karakterizohet nga rregulla të fragmentuara, normë e ulët tatimi dhe bazë e ngushtë tatimore, çka ka bërë që të ardhurat nga kjo taksë të mbeten thuajse të pandryshuara prej vitesh. Mbledhja është problematike, pasi bashkitë arkëtojnë vetëm rreth 30% të potencialit, duke lënë një pjesë të madhe të pronave jashtë sistemit të taksimit, ndërsa vëmendja përqendrohet te bizneset, të cilat tatohen më fort.
Probleme serioze evidentohen edhe në lidhje me Kadastrën Fiskale, ku cilësia dhe plotësia e të dhënave mbeten të pamjaftueshme. Edhe pse infrastruktura teknike është gati, Sistemi i Informacionit të Kadastrës Fiskale (SIKF) nuk përdoret ende nga bashkitë dhe përfundimi i tij parashikohet vetëm në fund të vitit 2026.
Raporti ngre shqetësime edhe për politikat e përjashtimeve nga taksa, të cilat sipas Bankës Botërore nuk janë të orientuara drejt shtresave më në nevojë. Mbi 36% e familjeve përfitojnë përjashtime, por pothuajse gjysma e familjeve në decilin më të lartë të të ardhurave përfitojnë prej tyre, kundrejt vetëm 25–37% të familjeve në decilet më të ulëta. Tek familjet me kryefamiljare gra, diferenca është edhe më e theksuar, çka rrezikon rritjen e pabarazive sociale.
Si zgjidhje, rekomandohet kalimi gradual në një sistem të taksimit sipas vlerës së tregut dhe rishikimi i plotë i skemës së përjashtimeve.
Edhe pse është alternativa më e drejtë, taksimi mbi bazë të vlerës së tregut përballet me rezistencë për shkak të frikës nga fatura më të larta tatimore në një vend ku 92.5 për qind e familjeve janë pronare të banesës së tyre. Familjet më të varfra ose të moshuarat kanë më shumë gjasa të jenë pronare, por kanë të ardhura të kufizuara, gjë që përforcon keqkuptimin se ky sistem dëmton shtresat me të ardhura të ulëta.
Në realitet, ky sistem është më i drejtë se taksimi mbi sipërfaqe dhe ai me çmime reference, të cilët mund të rëndojnë tatimpaguesit me të ardhura të ulëta duke injoruar ndryshimet në vlerën reale të pronës. Decilet më të larta të konsumit kanë zakonisht qira të imputuara më të larta për prona më me vlerë. Po ashtu, qiratë mesatare mujore më të larta gjenden në Tiranë dhe Durrës, ndërsa prefekturat e tjera kanë nivele të ngjashme mes tyre. Kjo e bën sistemin e bazuar në vlerën e tregut një formë më të drejtë të tatimit të pronës, thekson raporti.
Sipas vlerësimeve, me një normë tatimi 0.1% dhe heqje të përjashtimeve, të ardhurat vjetore mund të arrijnë deri në 30.8 miliardë lekë, ndërsa nëse përjashtimet mbeten, të ardhurat parashikohen rreth 10.1 miliardë lekë. Kjo tregon se kufizimi dhe targetimi i përjashtimeve është vendimtar për suksesin e reformës.
Projektligji i ri për tatimin mbi pronën pritet të miratohet në vitin 2026, ndërsa taksimi mbi vlerën e tregut për ndërtesat do të nisë në 2028 dhe për tokën në 2030. Raporti thekson se suksesi i reformës varet nga forcimi i kadastrës ligjore dhe fiskale, mbikëqyrja institucionale dhe krijimi i një institucioni të vetëm përgjegjës për vlerësimin masiv, për të garantuar një sistem më të drejtë, transparent dhe efikas./







